Nëpër rrugët e metrotë e New Yorkut është shpërndarë posteri i cili paralajmëron festivalin që për tri ditë e shndërron qytetin amerikan në qendër arti. “Ideas City”, festivali bienal që tubon mbi 50 mijë njerëz në publik sivjet realizohet nën moton “Qyteti i padukshëm”.
Rreth 100 aktivitete janë paralajmëruar të mbahen midis datave 28 e 30 të këtij muaji. Për herë të parë, pjesë e këtij festivali është bërë kitaristi nga Kosova, që jeton në Amerikë, Taulant Mehmeti. Projekti në të cilin është i përfshirë Mehmeti titullohet “I will play your Soul” dhe është bashkëpunim ndërmjet “Albanian Institute”, “Arte Institute” dhe “New Museum”, që organizon “Ideas City” qysh prej vitit 2011. I themeluar më 1977 “New Museum” që e organizon këtë festival është një ndër muzetë më të mëdhenj në New York dhe e vetmja qendër e përcaktuar ekskluzivisht për artin bashkëkohor.
Taulant Mehmeti - i cili në mars të këtij viti interpretoi në klubin më të famshëm të jazzit në botë, “Blue Note” përkrah me jazz kitaristin me nam Vic Juris - i ka thënë “Kohës Ditore” se “I will play your Soul” do të realizohet nëpërmjet improvizimit të një melodie të inspiruar nga fotografitë “selfie”.
“Artistja e artit pamor nga Portugalia, Joana Ricou, që jeton në Brooklyn, do të fotografojë ‘selfies’ nga audienca dhe objektet e tyre personale. Renato Diaz, pianist nga Portugalia, që është kompozitor dhe profesor i pianos në ‘New York University’ dhe unë do të improvizojmë melodi të inspiruara nga ‘selfie’”, ka shpjeguar Mehmeti.
Mehmeti (23) thotë se pjesëmarrja në “Ideas City” është ndër më të rëndësishmet në karrierën e tij.
“Meqenëse kjo bienale - festival konsiderohet të jetë njëra ndër performancat më të mëdha në New York, patjetër që përvoja direkte që lidhet me këtë nuk ka çmim, sidomos për një artist të ri në moshë”, ka thënë ai. Mehmeti, i cili aktualisht është student i “New School for Jazz and Contemporary Music”, në vitin 2011 ishte pjesë e bendit “Trio of Love” që debutoi në festivalin “Prishtina Jazz Festival”.
Kurator i këtij projekti është Dino Korça, që po ashtu është drejtues i “Albanian Institute”. Ai thotë se pjesëmarrja në një festival të tillë është mjaft e rëndësishme.
“Sidomos tredimensionaliteti që përmban: artist nga Kosova bashkë me dy artistë nga Bashkimi Evropian zhvillojnë një performancë interaktive me audiencën amerikane të New Yorkut”, ka thënë Korça. Sipas tij, pjesëmarrja me këtë projekt avancon dukshmërinë e Kosovës dhe krijon perceptim pozitiv për këtë vend, meqë Kosova po provon të bëhet pjesë e BE-së dhe nëpërmjet artit mund të krijohen ura.
Në dy edicionet e mëparshme, “Ideas City” ka tërhequr vëmendje të madhe. Motoja e edicionit të sivjetmë “Qyteti i padukshëm” është homazh për kryeveprën letrare të Italo Calvianos, të vitit 1972 “Qytetet sikur ëndrrat, krijohen nga dëshira dhe frika”.
Sipas asaj që është shkruar në ueb - faqen zyrtare të “Ideas City”, kjo temë shërben si platformë për t’i shqyrtuar nëpërmjet artit pyetjet që lidhen me transparencën, shtetësinë dhe reprezentimin, shprehjen e mohimin e shprehjes, pjesëmarrjen dhe mospajtimin.
“Ideas City” shqyrton të ardhmen e qyteteve me kulturën si një forcë shtytëse. Si ndërmarrje bashkëpunuese, qytetare e kreative, festivali ndërton misionin e ‘New Museum’, që është ‘art i ri, ide të reja’, duke e zgjeruar atë përtej mureve të Muzeut në fushën qytetare”, shkruhet në ueb faqen zyrtare të “Ideas…”.