Hetimi për vrasjen e legjendës së bluzit, BB King tashmë ka filluar pasi që dy të bijat e tij pohojnë se ai ishte helmuar. Karen Williams dhe Patty King, thanë se muzikantit i ishin dhënë substanca të panjohura të cilat i shkaktuan vdekjen. Sipas tyre këto substanca atij ia kishte dhënë menaxheri i tij i biznesit, Laverne Toney.
Avokatët e trashëgimisë së Kingut, thonë se pohimet janë të pabaza dhe mosrespektuese. Por mundësia e vrasjes tani do të hetohet nga prokuroria dhe policia e Nevadas.
Prokurori, John Fudenberg, i kishte thënë CNN, se rezultatet e autopsisë fillestare nuk kanë dhënë dëshmi që do të mbështesnin këto pohime të të bijave të Kingut.Sidoqoftë, ai shtoi se rezultatet e plota të mjekësisë ligjore do të vonojnë 6-8 javë që të jenë gati.
King vdiq në gjumë në shtëpinë e tij në Las Vegas me 14 maj në moshën 89 vjeçare. Në atë kohë mjeku dhe prokuroria thanë se ai vdiq si pasojë e një seri të sulmeve të vogla që ndërlidheshin me diabetin që kishte të tipit 2.
Por të bijat e kitaristit pohojnë se asistentët personal të tij, Toney dhe Myron Johnson i kishin dhënë ilaçe të ndryshme që ai të përjetonte shok diabeti.
Ato shtuan se King ishte privuar nga e gjithë familja, disa javë para vdekjes së tij dhe se Toney e Johnson ishin të vetmin njerëz që qëndronin me të.
Toney, avokat i pasurisë së King, i ka mohuar ashpër këto pohime. “Ato vazhdimisht më akuzojnë. Këtu s’ka asgjë të re” kishte thënë ai për Associated Press.
Ai po ashtu i karakterizoi akuzat si qesharake.
“Shpresoj se ato kanë fakte bazë dhe mund të dëshmojnë këto akuza që i kanë” tha Brent Bryson.
Më herët këtë vit, Patty King, Karen Williams dhe e bija e tretë Rita Ëashington shkuan në gjykatë duke e akuzuar Toney për neglizhencë, por rasti mori fund në mungesë të dëshmive.
King u lind me 16 shtator 1925, dhe për një kohë të gjatë në fëmijërinë e tij, ishte mbledhës i pambukut para se të fillonte të ekzekutonte kitarën.
I konsideruar njëri prej kitaristëve më të mëdhenj në botë, ai njihej për notat e tij të ashpra.
Ai kishte inspiruar gjenerata të tëra pas tij, derisa ishte pranuan në të dyja Rock ‘n Roll Hall of Fame dhe Blues Fondation Hall of Fame.
Ai u martua dy herë dhe kishte 15 fëmijë biologjikë dhe të birësuar, 11 prej të cilëve janë ende gjallë, transmeton Koha.net. Funerali i tij pritet të mbahet të premten në Mississippi. E hetimet, sipas prokurorisë nuk do të vonojnë ceremoninë e varrimit.